1 - Regjistrimi në procedure

Institucionet shëndetësore regjistrohen në procedurën e akreditimit në zbatim të VKM Nr. 315, datë 23.03.2011.

Aplikimi bëhet me anë të plotësimit të formualarit të aplikimit I cili dorëzohet pranë QKCSA-ISH, së bashku më kërkesën për aplikim.

2 - Marrja në shqyrtim e kërkesës

Kërkesa, bashkë me dokumentacionin shoqërues shqyrtohet nga QKCSA-ISH dhe nëse ato janë në përputhje me rregullat dhe, sipas planit kohor të QKCSA-ISH, institucioni regjistrohet në procesin e akreditimit dhe caktohen hapat e mëtejshëm.

3 - Fillimi i Procesit të vetëvlerësimit

QKCSA-ISH kontakton institucionin shëndetësor dhe i jep standardet e shkruara e të publikuara,si dhe dokumentacionin bashkëshoqërues ndihmës për vetëvlerësim.

4 - QKCSA-ISH asiston në procesin e vetëvlerësimit

Aplikanti mund të kërkojë ndihmë apo sqarime lidhur me vetëvlerësimin dhe stafi i QKCSA-ISH, sipas mundësive dhe asiston në lidhje me interpretimin e standardeve, por edhe me planin e veprimit që duhet bërë pasi të identifikohen mangësitë të cilat duhen korrigjuar dhe përmirësuar.

5 - Vetëvlerësimi i standardeve

Institucioni me anë të një grupi të brendshëm pune, vlerëson vetveten përkundrejt standardeve të akreditimit, si dhe identifikon arritjet dhe mangësitë, si dhe drejtimet apo fushat për përmirësim të mëtejshëm.

QKCSA–ISH ka përgatitur një manual të posaçëm në dispozicion të personave që do kryejnë vetëvlerësimin. Procesi i vetëvlerësimit dhe i vetëpërmirësimit vazhdon për aq kohë sa institucioni gjykon se është gati t’i nënshtrohet vlerësimit të jashtëm.

Kohëzgjatja e vetëvlerësimit dhe e vetëpërmirësimit deri në kërkesën nga ana e tyre për vizitë akredituese të jashtme nuk duhet të kalojë 2 vjet. Në përfundim të vetëvlerësimit të rezultateve hidhen në programin e akreditimit nga institucioni aplikues.

6 - Kërkesa për vlerësim të jashtëm akreditues

Institucioni Shëndetësor (ISH), pasi ka mbaruar edhe procedurën e vetë-vlerësimit, aplikon për vlerësimin e jashtëm (vizitën akredituese). QKCSA-ISH planifikon datën e vizitës akredituese dhe brenda 2 javëve ia komunikon ISH duke përfshirë numrin dhe përbërjen grupit të vlerësuesve të jashtëm dhe kryetarin e tij.

7 - Vizita akredituese ose vlerësimi i jashtëm

QKCSA-ISH harton programin e vizitës akredituese dhe njofton paraprakisht titullarin e institucionit për programin që do të ndjekë ekipi i vlerësuesve të jashtëm dhe përbërjen e tij.

QKCSA-ISH ka përgatitur një manual të posaçëm në ndihmë të vlerësuesve të jashtëm me të gjitha hollësitë e nevojshme për të.

8 - Hartimi i draft raportit të Vizitës Akredituese:

Grupi i vlerësuesve të jashtëm harton brenda 2 javësh draft-raportin e Vizitës Akredituese lidhur me përputhjen me standardet, dhe ja paraqet drejtorisë së institucionit dhe grupit të vetëvlerësimit për komente dhe sugjerime të mundshme.

9 - Vlerësuesit e Jashtëm, takimi

Grupi i vlerësuesve të jashtëm mund të marrë parasysh ose jo vërejtjet e drejtorisë dhe grupit të vetëvlerësimit dhe brenda një jave nga ky takim, dorëzon raportin final të Vizitës Akredituese, të firmosur nga të gjithë anëtarët e ekipit, pranë QKCSA-ISH dhe një kopje i jepet drejtorisë së institucionit.

Drejtoria e institucionit, në rast pakënaqësish ndaj këtij raporti, ka të drejtë të paraqesë ankesa në QKCSA-ISH, brenda 2 javësh.

10 - Përgatitja nga QKCSA-ISH e dokumentacionit të plotë për Këshillin e Akreditimit (KA).

Pas marrjes në dorëzim të raportit final nga grupi i vlerësuesve të jashtëm, QKCSA-ISH përgatit për mbledhjen e ardhshme të KA, dosjen e plotë të institucionit shëndetësor.

11 - Vlerësimi nga Këshilli i Akreditimit

KA merr në shqyrtim dokumentacionin përkatës të dosjes të sipërpërmendur të përgatitur nga QKCSA–ISH për të verifikuar nëse procedura e vlerësimit të jashtëm është kryer në mënyrë korrekte në përputhje me rregulloren dhe manualin përkatës dhe jep në mënyrë konsensuale ose me votë, rekomandime përkatëse për Ministrinë e Shëndetësisë.

12 - Vendimi i Ministrit të Shëndetësisë

Bazuar në rekomandimet e KA, Ministri i Shëndetësisë miraton dhe firmos ose jo brenda një afati kohor 30-ditor, certifikatën e akreditimit e cila i dërgohet QKCSA-ISH.

13 - Periudha kohore e vlefshmërisë së akreditimit

Akreditimi bëhet në mënyrë të detyrueshme dhe periodike çdo pesë vjet.

14 - Certifikata dhe Emblema e Akreditimit

Institucioni shëndetësor i akredituar pajiset me një certifikatë akreditimi të firmosur nga ministri dhe një Emblemë të posaçme, të cilat vendosen në institucion në një vend të dukshëm për publikun. Ato duhet të hiqen prej andej vetëm nëse statusi i akreditimit i ndërpritet, pezullohet apo i ka kaluar afati. Certifikata dhe Emblema mbajnë si logo, në të majtë stemën e Republikës dhe në të djathtë logon e QKCSA-ISH.

15 - Shpallja dhe botimi i rezultateve të vlerësimit

QKCSA –ISH, në rast akreditimi, ia dorëzon certifikatën përkatëse së bashku me emblemën e akreditimit institucionit shëndetësor, i cili ka të drejtë ti afishojë në një vend të dukshëm për publikun.

16 - Riaplikimi për akreditim

Në rastet kur në vendimin e Ministrit, institucionit nuk i është dhënë akreditimi ose i është hequr apo pezulluar, atëherë institucioni mund të riaplikojë, por jo më përpara se 6 muaj nga data e këtij vendimi.

17 – Mbikqyrja

QKCSAISH kryen mbikëqyrje të akreditimit të paktën njëherë në vit. Qëllimi i kësaj mbikëqyrje është vlerësimi i vazhdueshmërisë së plotësimit të standarteve për akreditim.

Kontakt

Qendra Kombëtare e Cilësisë Sigurisë dhe Akreditimit te Institucioneve Shëndetësore (QKCSA-ISH)
Bulevardi “Zogu I”, Spitali Universitar Obs-Gjin “Mbretëresha Geraldinë”, 
Tirana, Albania. 

Mail: info@qkcsaish.gov.al

Web: www.qkcsaish.gov.al

Tel. +3554234221

Fax. +3554234225